Punonjëse pa sigurime dhe leje vjetore/ Përgjysmoi pagat, mbyllet pa afat fasoneria në Bilisht

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 05.01.2023, 13:15

Inspektorati Rajonal i Punës Elbasan ka pezulluar pa afat aktivitetin e fasonerisë në Bilisht, pas protestës së djeshme të punonjësve të këtij subjekti. Shkak i revoltimit të tyre ishte përgjysmimi i pagave mujore, që kishte vendosur të bënte ky biznes.

Gjithashtu, punonjëset e fasonerisë pretendonin se nuk u është dhënë leja vjetore, si dhe disa prej tyre nuk janë të siguruara. Pas gjithë bujës së krijuar, një grup inspektorësh prej së enjtes po verifikojnë kushtet e punës në fasoneri si dhe dokumentacionin e subjektit.

Gjithashtu, janë thirrur edhe punonjësit për të deklaruar. Masa e parë e Inspektoriatit ka qenë pezullimi pa afat i aktivitetit te fasonerisë për shkak të shkeljes dhe pengimit të lirisë sindikale për të protestuar kundër kushteve të punës dhe jo vetëm.

Gjithsesi, shpresojmë që autoritetet të bëjnë verifikime sa më shpejt dhe gjithçka të zgjidhet me kthimin në punë në kushte normale të grave, që me pagat e tyre mbajnë familjet dhe këto ditë do të duhet të përballojnë jetesën pa të ardhurat e nevojshme.

Punonjësit vijuan edhe sot protestën. Ata kërkojnë kthimin në punë të kryetares së sindikatës, e cila u pushua nga puna në fund te dhjetorit. Ata këmbëngulin se do të protestojnë deri në plotësimin e të gjitha kërkesave që lidhen me pagën, kushtet e punës dhe pagesat e raporteve mjekësore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit