Dërgoi zarf me barut dhe letër kërcënuese në shtëpinë e një personi, arrestohet 24-vjeçari

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 05.01.2023, 10:21

Një 24-vjeçar me iniciale R.M është arrestuar nga policia e Bulqizës për shkak se ka kërcënuar një 57-vjeçar. Dyshohet se i riu ka dërguar në banesën e denoncuesit një zarf, ku kishte brenda barut dhe një letër me fjalë kërcënuese. Ndaj tij rëndojnë dy akuza.

NJOFTIMI I POLICISË – Bulqizë, finalizohet operacioni policor i koduar “Zogaj”. Kanosi për jetën një shtetas, falë reagimit në kohë dhe veprimeve profesionale të Policisë, identifikohet dhe vihet në pranga 24-vjeçari.

24-vjeçari i hodhi pranë banesës, një shtetasi, një zarf me barut në brendësi dhe një letër me mesazh kërcënues për jetën. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale zarfi me barut në brendësi dhe letra me mesazhin kërcënues.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se pranë banesës së një 57-vjeçari, në fshatin Zogaj, ishte hedhur një zarf me barut në brendësi dhe një letër me mesazh kërcënues për jetën, kanë organizuar punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale nga Policia, në kuadër të operacionit policor të koduar “Zogaj”, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit R. M., 24 vjeç, banues në Shupenzë (i dënuar më parë për veprën penale “Dhunë në familje”).

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 24-vjeçari ka hedhur në oborrin e banesës së shtetasit N. Ll., 57 vjeç, një zarf me një sasi të vogël pluhur baruti në brendësi dhe një letër me mesazh kërcënues për jetën.

Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Bulqizë vijojnë punën për zbardhjen e motivit të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit