Mbërriti në vendngjarje me “Smart” dhe u largua me “Audi”, si u zbulua autori i vrasjes së Edmond Papës

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 04.01.2023, 18:20

Andrew Bode cilësohet deri më tani si personi që ka ekzekutuar biznesmenin Edmond Papa pak javë më parë në Tiranë. 44-vjeçari është shpallur në kërkim pas arrestimit të Albano Velos, i cili dyshohet se është urdhëruesi dhe bashkëpunëtori i vrasjes.

44-vjeçari Bode, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, më parë ka përdorur edhe emrin Ervin Bode, por për shkak të problemeve me drejtësinë ai e ka ndryshuar atë. Ka dyshime se ai mund të jetë larguar jashtë vendit ilegalisht, pasi në sistemin TIMS nuk figuron që të ketë dalë në ndonjë nga pikat e kalimit kufitar.

Pas vrasjes së biznesmenit Edmond Papa, 44-vjeçari Velo është filmuar nga kamerat e sigurisë së një lavazhi afër vendit të ngjarjes me një makinë tip "Audi", të cilën Albano Velo e kishte dërguar për ta larë. Kjo makinë me shofer Velon është përdorur edhe më parë për të monitoruar lëvizjet e biznesmenit Edmond Papa dhe për të marrë ekzekutorin, Andrew Bode pas krimit.

Në vendin e ngjarjes, Andrew Bode ka mbërritur me një makinë tip "Smart" të marrë me qira. Pasi ka qëlluar mbi 9 herë në drejtim të Papës, ai është larguar me "Audin" e drejtuar nga Velo. Këta dy persona, shokë me njëri-tjetrin kanë udhëtuar së bashku në autostradën Tiranë – Durrës, janë kthyer e më pas kanë ndaluar në një pikë karburanti ku Bode ka zbritur në zonën e Astirit. Nga aty Bode ka marrë një taksi dhe ka shkuar drejt banesës së tij në zonën e Kodrës së Diellit. Një ditë më pas, më datë 17 dhjetor ai ka marrë nga vendi i krimit "Smartin" që kishte lënë të parkuar.

Bode figuron edhe biznesmen, pasi ka një kompani në Korçë që merret me import dhe eksport, tregtim me shumicë dhe me pakicë të ujit të pijshëm, depozitimin dhe transportin e ujit të pijshëm dhe pijeve të tjera joalkoolike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit