Vrau të riun për faturën 400 euro, dëshmia e parë e Dibran Hoxhës: Vëllai im është i pafajshëm

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 04.01.2023, 13:27

Dibran Hoxha ka folur për herë të parë që nga arrestimi i tij për vrasjen e Visart Cengut dhe plagosjen e Rufgen Shehut në mbrëmjen e së martës në lokalin “Kobra City”, në pronësi të autorit të ngjarjes. Hoxha ka lejuar avokatin të bëjë mbrojtjen e tij dhe në fund ka vendosur të shtojë diçka, duke u munduar të mbrojë vëllanë nga nëna, Enver Amrallahun.

“Pajtohem me fjalët e avokatit, veç deshta me shtu diçka në lidhje me Enver Amrallahun, ky është vëllau prej nanës. Ky ka ardhë masi ka ndodhë, sepse ka ni prej tjerëve që ka ndodh diçka në lokal, ka ardhë masi me policinë, mrapa krejt kur janë marrë deklaratat krejt. Kanë ardhë e kanë nxanë aty si vlla”, tha i dyshuari Hoxha, që kërkon lirimin e Amrallahut.

Dibran Hoxha po hetohet dhe gjykohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”. Ditën e sotmë gjykata e Prizrenit ka vendosur t’i lërë në burg të gjithë të akuzuarit.

“Më dt 03.01.2023, rreth orës 04:00, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren- Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën V.C, duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit R.Sh, të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit A.B, që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë.

Në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshje paraprake që kishin pas rreth pagimit të faturës në lokal, fillon përleshja në mes punëtorëve në lokalin “Kobra City”, me të dëmtuarit ku pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal.

Të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën “Mercedes” FA 19-PFX, me targa angleze, për tu larguar në parkingun e lokalit, paraqitet i dyshuari Dibran Hoxha, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës.

Ai qëllon të dëmtuarin V.C, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe R.Sh, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e përparme dhe si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri V.C ndërron jetë rrugës për në spitalin e Kukësit, derisa R.Sh nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhet në pretencën e Prokurorisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit