Arrestohet një prej autorëve, zbardhet vrasja e Edmond Papës në Selitë pak javë më parë

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 03.01.2023, 10:29

Është zbardhur vdekja e Edmond Papës, e ndodhur më 16 dhjetor 2022 në një lokal në zonën e Selitës. Policia ka arritur të identifikojë autorin, Albano Velo 30 vjeç, i cili është arrestuar dhe pritet të merret në pyetje. Gjithashtu, është shpallur në kërkim edhe bashkëpunëtori i tij, A.B 44 vjeç.

Mësohet se Albano Velo ka lindur në Këlcyrë dhe është banues në Tiranë. Hetimet e policisë kanë zbuluar se dy autorët e kanë ndjekur për disa ditë shtetasin Edmond Papa, derisa kanë arritur ta vrasin atë pasdite të 16 dhjetorit, kur ai kishte zbritur për të pirë një kafe.

Gjithashtu është gjetur dhe sekuestruar automjeti tip “Audi”, i përdorur nga autorët e dyshuar para dhe pas ngjarjes, pamje filmike dhe tre aparate celularë. Pak pas orës 14:00, Velo mësohet të ketë hyrë në lokalin në zonën e Selitës dhe të ketë qëlluar me 9 plumba biznesmenin.

Papa pas ngjarjes u dërgua në spitalin e Traumës, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra. Biznesmeni me origjinë nga Rroskoveci, jetonte mes Sarandës dhe Anglisë. Ai kishte ardhur në Tiranë më 16 dhjetor te vëllai i tij, që banonte mbi lokalin ku ndodhi ngjarja.

Dëshmitarët okularë i treguan policisë se 49-vjeçari iu kundërpërgjigj autorit, duke e qëlluar me tavllën e duhanit që kishte në tavolinë.

Njoftimi i plotë i policisë: Zbardhet ngjarja e ndodhur më 16 dhjetor 2022, ku mbeti i varë me armë zjarri shtetasi Edmond Papa. Finalizohet operacioni policor i koduar “EAGLE EYES”.

Identifikohet dhe ndalohet njëri prej autorëve të vrasjes Shpallet në kërkim bashkëautori i vrasjes. Sekuestrohet automjeti i përdorur gjatë kryerjes së vrasjes, pamje filmike e prova të tjera të vlefshme, që çuan në identifikimin e autorëve.

Nga strukturat e Sektorit të Hetimeve të Krimeve të Renda ndaj Jetës e Pronës në DVP Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 01.01.2023, në orët e para të mëngjesit, u finalizua operacioni policor i koduar “EAGLE EYES”, si rezultat i të cilit u bë i mundur dokumentimi i plotë ligjor i ngjarjes së datës 16.12.2022, ku në rrugën “Fadil Bodinaku“ Tiranë, është vrarë me armë zjarri shtetasi Edmond Papa, i datëlindjes 1973, lindur në fshatin Kurjan Fier dhe banues në Sarandë.

Policia e Tiranës pas një pune profesionale e të pandërprerë trejavore, duke shfrytëzuar të dhënat e inteligjencës policore, përdorimit të metodave speciale të hetimit, administrimit dhe vlerësimit në kohë të provave ligjore, ka bërë të mundur dokumetimin ligjor të autorësisë së kësaj ngjarje kriminale.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “EAGLE EYES” u bë ndalimi i shtetasit: A. V. 30 vjeç, lindur në Këlcyrë Permet dhe banues në Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim” .

Si dhe shpallja në kërkim e bashkëautorit, shtetasi A. B., 44 vjeç, banues në Tiranë. Nga hetimi rezultoi se autorët e kanë ndjekur për disa ditë shtetasin Edmond Papa, para dhe ditën e ngjarjes deri në realizimin e krimit.

Në cilësinë e provave materiale është gjetur dhe sekuestruar automjeti tip “Audi” i përdorur nga autorët e dyshuar para dhe pas ngjarjes, pamje filmike dhe 3 aparate celular.

Nga strukturat hetimore për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale, i kanë kaluar Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit