Biznesin e sundojnë burrat, Shqipëria ndër vendet me më pak drejtuese femra në sipërmarrje

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 03.01.2023, 10:03

Biznesin në Shqipëri vazhdojnë ta drejtojnë burrat me një diferencë të konsiderueshme. Përfshirja e grave në role drejtuese në biznes në Shqipëri vazhdon të jetë ende shumë i ulët. Vendi ynë është i 31-ti në listë, nga 33 vende të përfshira nga Eurostat në këtë analizë.

Gratë përbëjnë vetëm 24.1% të roleve drejtuese në sipërmarrje në vendin tonë, duke qenë një nga shtetet që u beson më pak femrave në këtë fushë të rëndësishme të jetës. Mesatarja e BE-së për gratë sipërmarrëse në krahasim me burrat është 35%.

Ndërkohë, politika ose të paktën postet e saj, pasi gjithçka në qeverinë tonë është e komanduar nga lart, i janë besuar më së shumti femrave. 70% e qeverisë aktuale përbëhet nga ministre gra, duke u renditur ndër 10 vendet e para në botë.

INSTAT raporton se përqindja e grave pronare ose CEO të një ndërmarrjeje në vitin 2021 ka pësuar rënie në krahasim me një vit më parë. Ky është një tregues se trendi është në ulje dhe gratë vijojnë të thellojnë minorancën e tyre në krahasim me burrat.

Vendet nordike mbeten “ajka” e shoqërive me më shumë drejtuese gra për vitin 2021. Përqindjen më të lartë e regjistron Letonia (46%), pastaj Polonia dhe Suedia përkatësisht (43%) dhe Estonia (41%). Nga krahu tjetër, përqindjet më të ulëta të grave menaxhere regjistrohen në Qipro (21%) dhe Luksemburg (22%).

Nga raporti vihet re se asnjë prej vendeve nuk e kalon gjysmën me gra drejtuese në biznes, pavarësisht se gratë rezultojnë ndjeshëm më të arsimuara se gjinia e kundërt.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit