Rryma, sfidë e madhe në vitin 2023

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 02.01.2023, 22:03

Sfida në vitin 2023 është rritja e prodhimit të energjisë elektrike për 20%. Këtë e tha në fjalimin e tij kreu i EMV-së, Vasko Kovaçevski i cili theksoi se fokusi do të jetë në prodhimin e rrymës vendore, si opsion më i lirë.

“Plani për 2023 është që të rritet prodhimi i energjisë elektrike për rreth 20%. Arritëm që t’i vendosim në funksion të gjitha kapacitetet vendore të energjisë elektrike, me çka po ulet varësia nga blerja e energjisë së shtrenjtë. Prodhimi vendor është më i lirë, andaj e rrisim. Në mënyrë shtesë, në kohë krize i ulim shpenzimet e prodhimit dhe shpenzimet joproduktive.”- deklaroi Vasko Kovaçevski, drejtor i EMV-së.

Kovaçevski tha se në periudhën e kaluar kompania ka treguar se me menaxhim të mirë mund të sigurohen sasitë e nevojshme të qymyrit, mazutit dhe gazit natyror. Kemi marrëveshje të qëndrueshme për sigurimin e energjenceve dhe për procesin e prodhimit, tha drejtori i EMV-së. “Për qytetarët dhe bizneset e vogla siguruam 100% energji elektrike ndërsa me energji më të lirë elektrike i furnizojmë spitalet, shkollat, ndërmarrjet për ekonominë e ujërave, kapacitetet e gastronomisë, dhe pjesë të institucioneve vitale në shtet. Edhe krahas krizës me të cilën po ballafaqohemi, paralelisht i realizojmë edhe investimet për burime ripërtëritëse të energjisë.”- pohoi Vasko Kovaçevski, drejtor i EMV-së.

Reaguan nga VMRO-DPMNE prej ku thonë se Vasko dhe Dimitar Kovaçevski janë arsyeja për katastrofën energjetike dhe janë më përgjegjës për fundosjen e sektorit energjetik. “Vasko Kovaçevski duhej që moti të jepte dorëheqje e jo pa pasur aspak turp të japë deklarata. Për shkak të paaftësisë së tij, kompania merr shuma milionëshe para të qytetarëve për ta maskuar menaxhimin e keq. Vetëm në dhjetor i janë paguar 25 milionë euro mjete buxhetore, ndërsa në 2022, kanë marrë gjithsej 175 milionë euro. Diçka që për të tjerët do të ishte arsye për turp, Kovaçevski e prezanton si sukses.”- thanë nga VMRO-DPMNE. Përndryshe, nga 1 janari, çmimi i energjisë elektrike u rrit për konsumatorët e mëdhenj, ndërsa për ata që kursejnë, po ulet.

Për amvisëritë, çmimi për bllokun e parë ulet për 4,11%, për bllokun e dytë, për pothuajse 3%, ndërsa çmimi për bllokun e tretë rritet për 0,85% dhe për bllokun e katërt, për 7,65%.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit