Imazhi i BE u njollos! “Spiegel”: Maroku fshihet pas skandalit të ryshfetit, jo Katari!

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 29.12.2022, 17:12

Jo Katari! Maroku është ai që fshihet pas skandalit të ryshfetit që ka njollosur imazhin e Parlamentit Europian me protagonistë ish-deputetë italianë dhe aktualë, partneri i eurodeputetes greke Eva Kaili, Francesco Giorgi si dhe ajo vetë. Kështu shkruan revista gjermane Spiegel, në një publikim të sotëm.

Me titullin: “Marokkogate”, botimi gjerman thekson se Maroku kishte luajtur qartë një rol më aktiv se Katari në skandalin që ka njollosur imazhin e institucioneve evropiane, ku përfshihet edhe ish- nënkryetarja e Parlamentit Evropian.

“Shërbimet e huaja të inteligjencës së Marokut dyshohet se kanë korruptuar eurodeputetët për të lartësuar virtytet e regjimit të Katarit”, komenton Spiegel.

Dihet se Katari luan një rol të rëndësishëm në skandalin e ryshfetit në Parlamentin Evropian. Megjithatë, siç shkruan revista gjermane, Maroku ka pasur një pjesëmarrje edhe më aktive nga sa besojnë autoritetet belge.

Dokumentet e siguruara nga revista gjermane tregojnë se shërbimi i inteligjencës së jashtme të Marokut "DGED" është përfshirë në nivelin më të lartë të skandalit të korrupsionit dhe ryshfetit.

Për autoritetet belge, shërbimet "DGED" konsiderohen qendra e spiunazhit dhe kundërspiunazhit të shtetit të Magrebit (rajoni Veri-Perëndim – Afrika Veriore që përfshin Marokun, Algjerinë dhe Tunizinë).

Megjithatë, sipas dokumenteve që revista gjermane ka në duar, DGED dyshohet se ka punësuar tre italianë nga viti 2019: ish-deputetin, Pier Antonio Panzeri , eurodeputetin aktual, Andrea Cozzolino si dhe ndihmësin e tij, Francesco Giorgi, partnerin e Eva Kailit. Shërbimet e inteligjencës së huaj të Marokut, sipas "Spiegel", po paguanin shumë bashkëpunëtorët e tyre për të ndikuar në grupin e socialdemokratëve në Parlamentin Evropian për të mirën e qeverisë së Dohas. Kreu i "treshes" ishte ambasadori aktual maroken në Poloni.

Sipas revistës "Spiegel",Abdelrahim Atmoun, ambasadori aktual i Marokut në Poloni, ishte kreu i tre italianëve. Dhe sigurisht që treshja ishin në kontakt të drejtpërdrejtë me Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimeve Sekrete të Marokut, Mohamed Yassin Mansouri.

Pancheri, Kaili dhe Giorgi mund të jenë aktualisht në burg dhe të akuzuar për "pjesëmarrje në organizatë kriminale, korrupsion dhe pastrim parash", por qeveria e Dohas mohon çdo përfshirje në skandalin e korrupsionit.

Megjithatë, vlen të theksohet se, në 15 dhjetor, eurodeputetët miratuan një rezolutë me një shumicë të qartë në të cilën ata dënuan ashpër Katarin për ushtrimin e ndikimit përmes eurodeputetëve. Megjithatë, nuk përmendej Maroku. Krahu i majtë i Parlamentit Europian u përpoq të shtonte amendamente në rezolutën përkatëse që tregonte përfshirjen e Marokut në skandal me përpjekjet e tyre të dështuara.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit