Agjencia shtetërore e lajmeve e Bjellorusisë, BelTA, raportoi se një raketë ukrainase S-300 ra në territorin e vendit, mëngjesin e ditës së sotme, gjatë një prej sulmeve raketore më të mëdha të Rusisë kundër Ukrainës që nga fillimi i luftës.
Ministria e Mbrojtjes e Minskut e konfirmoi lajmin pak më vonë, duke thënë se forcat e mbrojtjes ajrore rrëzuan një raketë ukrainase në rajonin kufitar Brest.
Incidenti ndodhi midis orës 10:00-11:00, rreth kohës kur Rusia lëshoi një breshëri raketash drejt Ukrainës. BelTA raportoi se raketa që përfundoi në Bjellorusi erdhi nga territori ukrainas. Sipas BelTA, nuk ka informacione për viktima.
S-300 është një raketë e mbrojtjes ajrore e kohës sovjetike e përdorur nga Rusia dhe Ukraina. Në nëntor, një raketë S-300 që besohet se ishte gjuajtur nga mbrojtja ajrore e Ukrainës, përfundoi në Poloni.
Kyiv e ka përdorur sistemin për të kapur raketat ruse në hyrje, ndërsa Rusia duket se po përdor raketat S-300 për të goditur objektivat tokësore, gjë që analistët ushtarakë thonë se është një shenjë se rezervat e saj të raketave po pakësohen.
Bjellorusia e lejoi Moskën të përdorte territorin e saj si trampolinë për pushtimin e Ukrainës në shkurt, por këmbëngul se nuk është e përfshirë në luftë dhe nuk ka plane ta bëjë këtë.