Një 32-vjeçar shqiptar ka thyer krahun pasi tentativa për të vjedhur në një shtëpi në Itali nuk i shkoi ashtu siç e kishte menduar.
Siç raportojnë mediat italiane, mbrëmjen e Krishtlindjeve, në Perugia, shqiptari dhe bashkëpunëtori i tij duke thyer dritaren e një vile në zonën e Monte Malbe kanë tentuar të hynë brenda për të vjedhur duke menduar se nuk kishte njeri brenda. Por sapo kanë parë që pronari ishte aty, dy hajdutët kanë tentuar të arratisen.
Njëri nga dy hajdutët, arriti të humbasë shpejt gjurmët e tij, ndërsa shqiptari në përpjekje për t'u ngjitur mbi një portë, u pengua dhe ra, duke thyer krahun. Kur karabinierët mbërritën në vendngjarje, e gjetën ende në tokë, me dhimbje dhe e arrestuan.
Hetuesit po vijojnë hetimet për identifikimin e hajdutit të dytë, duke nisur nga identiteti i hajdutit shqiptar dhe makina e përdorur nga të dy për të mbërritur në zonë.