Drejtoresha e Mjedisit në Bashkinë e Tiranës, Viola Sterjo është arrestuar nën akuzën për mashtrim. Gjatë periudhës mars-nëntor 2020 ajo ka mashtruar disa biznese për favorizim në marrjen e fondeve nga AZHBR-ja. Sterjo e ka ushtruar aktivitetin e saj të paligjshëm në qytetin e Korçës.
Raportohet se mashtrimi është bërë për shifra të frikshme. Dyshohet se ish-drejtoresha e Mjedisit ka mashtruar 5 subjekte dhe u ka marrë shuma nga 20 mijë euro deri në 90 mijë euro.
Subjekteve, që në këtë rast kanë rënë viktima të 39-vjeçares, u është premtuar se Viola do të ndërhyjë nëpërmjet lidhjeve të saj që ata të fitonin projekte nga AZHBR-ja (Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural).
Bizneset i kanë paguar shifrat e frikshme Vjola Sterjos, kundrejt ndërhyrjes së saj në projekte që varionin në 1 milionë deri në 4 milionë euro. Ajo pritet të dalë përpara trupës gjykuese të Gjykatës së Shkallës së Parë të Korçës.