Me qindra të rinj dhe të mitur po largohen çdo ditë e më shumë nga Shqipëria për të kërkuar një jetë më të mirë jashtë. Në shumë raste ata largohen vetë por ndodh që të jenë edhe vetë prindërit e familjarët ata që i nisin drejt kësaj rruge.
Së fundmi autoritetet italiane kanë zbuluar rastin e një gjysheje shqiptare e cila u përpoq të braktiste nipin e mitur në Itali që ai të përfitonte nga shteti. Gjyshja shqiptare ishte nisur nga Shqipëria bashkë me nipin me qëllimin që ta braktiste atë sapo të mbërrinin në Itali dhe vetë ajo të kthehej në Atdhe.
Por gjyshja shqiptare u identifikua, u ndalua dhe u refuzua nga policia kufitare bashkë me djalin. Jo një herë, por dy herë, në Rimini edhe në Bari. Por hetimet e autoriteteve bënë të mundur demaskimin e qëllimeve reale të gjyshes dhe kthimin e saj në Shqipëri bashkë me nipin. Por dy ditë më vonë, gruaja dhe djali tentuan sërish në portin e Barit, ku u refuzuan sërish. Gruaja e moshuar dhe nipi i saj synonin, sipas të gjitha gjasave, të shfrytëzonin një ligj specifik në fuqi në Itali, i cili, në kuadër të politikave të pritjes, u njeh të gjithë të miturve të pashoqëruar mundësinë e hyrjes në vend, shërbime financuar nga Fondi Kombëtar për politikat dhe shërbimet e azilit.
I njëjti ligj parashikon gjithashtu që, me mbushjen e moshës madhore, të rriturit e rinj që kërkojnë azil qëndrojnë në qendrat dytësore të pritjes të bashkive deri në përcaktimin e kërkesës për mbrojtje ndërkombëtare.
Në nëntor 2022, sipas të dhënave të disponueshme nga Ministria e Politikave Sociale në Itali ishin rreth 20 mijë të mitur të pashoqëruar. Një numër i konsiderueshëm i tyre (rreth 25%) vijnë nga Ukraina pastaj nga Egjipti, Tunizia dhe Shqipëria.