Njëri u vra në Tiranë e tjetri në Athinë, Papa dhe Çerçizaj bashkëpunëtor në trafikimin e hashashit

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 27.12.2022, 10:35

Autoritetet greke janë të bindura se vrasja e dyfishtë e shqiptarëve në Nea Smyrni lidhet me ekzekutimin e biznesmenit Edmond Papa në Tiranë.

Kjo pasi vrasja mafioze e Edmond Papës, në një lokal në Tiranë ka ndodhur dy ditë para ngjarjes së përgjakshme në Nea Smyrni. Papa njihej në Shqipëri si një biznesmen aktiv në fushën e turizmit, pasi ishte pronari i një hoteli në Sarandë. Në Greqi, megjithatë, ai ishte i njohur për autoritetet për përfshirjen e tij në tregtinë e drogës. Papa dhe Kreshnik Çerçizaj, objektivi kryesor i vrasjes së dyfishtë në Greqi, thuhet se kanë qenë bashkëpunëtor në prodhimin dhe trafikimin e hashashit.

41-vjeçari shqiptar, Kreshnik Çerçizaj por i njohur si “Nikos” u arrestua në Korinth në vitin 2016 pas zbulimit të një plantacioni të madh hashashi, ku dyshohet se ishte përfshirë biznesmeni shqiptar i vrarë në Tiranë. Në atë kohë, thuhej se “Nikos” dhe Papa ishin dy figurat kryesore në plantacionet e hashashit, por biznesmeni kishte arritur të arratisej në vendlindje, ndërsa Çerçizaj kishte rënë në duart e autoriteteve greke. Oficerët e Policisë greke po hetojnë me imtësi të gjitha detajet në lidhje me vrasjen e dy shqiptarëve të lartpërmendur, pasi vrasja e Armando Organjas cilësohet si aksidentale.

Vrasja e Edmond Papës thuhet se ka lidhje me zhdukjen e 700 kg hashash që “humbi” rrugës për në Greqi. Burime policore thonë se "Nikos" duhet të kishte marrë ngarkesën, por kjo ngarkesë nuk arriti kurrë në destinacionin e saj dhe askush nuk e di se ku ndodhet.

“Nikos”, siç njihej 41-vjeçari në Nea Smyrni, ishte liruar me kusht nga burgjet greke në vitin 2020. Ai është akuzuar për anëtarësim në banda kriminale, trafik imigrantësh të paligjshëm, trafik dhe mbajtje droge, armëmbajtje, zhvatje, tentativë vrasje, falsifikim, grabitje dhe vjedhje. Ai hyn e dilte nga burgjet që nga viti 2008 pa u ndëshkuar. Sa herë që vuante një dënim në burgjet e vendit , hapte punë dhe gjente bashkëpunëtorë të rinj që, kur të dilte, të ishte gati për hapin e radhës në botën e krimit.

Brenda burgjeve, e veçanërisht në Korydallos, duket se ka krijuar miqësi të ngushta, por edhe hasmëri të forta, kryesisht me bashkatdhetarët. Për këtë arsye policët e Departamentit të Vrasjeve janë në kërkim të informacionit nga brenda burgjeve, pasi kanë të dhëna të vlefshme se porosia e vrasjes së tij mund të jetë dhënë nga ky burg.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit