Ditën e djeshme në Fushë-Kuqe të Kurbinit, FNSH dhe RENEA kanë zbarkuar në vilën e Ervis Martinajt dhe familjarëve të tij.
Pas kontrolleve që zgjatën disa orë policia nuk gjeti asnjë gjurmë të "bossit" të lotove i cili rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit.
Në shtëpinë e Ervis Martinajt dhe xhaxhallarëve të tij, Faik dhe Rakip Martinaj u gjetën të fshehura në koshere bletësh dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale, sendet e mëposhtme.
*2 armë zjarri automatike, 1 silenciator, rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, për armë të lehta dhe të rënda, 85 predha eksplozive, 1 thikë bajonetë, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radio policie, fenelina policie, maskë gome për fytyrën dhe dokumente të ndryshme.
Kontrollet u kryen në bazë të hetimeve për zhdukjen e “bossit” të lotove që prej 9 gushtit është i zhdukur dhe askush nuk e di fatin e tij. Por për këto kontrolle të imtësishme, Martinaj kishte paralajmëruar familjarët pak para se të zhdukej.
Gjatë verifikimeve për zhdukjen e tij, Martinaj në një bisedë me xhaxhain përmes aplikacionit “Telegram” i ka thënë që të ketë kujdes se mund të ketë kontrolle.
Mesazhi është dërguar pasditen e 9 Gushtit, nga Martinaj në orën 19:21, duke njoftuar xhaxhain e tij, Rakip Martinaj, me përmbajtjen: “…Kujdes, se mund të ketë kontrolle…”.
Pas 3 minutave, ky mesazh është parë nga gruaja e Rakipit, L.Martianj, e cila është dhe nëna e Brilantit të ekzekutuar në 17 korrik 2022, në Fushë-Krujë. Në momentin që ajo ka parë mesazhin e mbërritur nga Ervisi, në telefonin e burrit të saj, në orën 19:24 të datës 9 Gusht, ka shkruar: “…A je mirë? Nga kush nga policia apo nga…….”.
Pas këtij mesazhi Martinaj ka shkëputur komunikimet me familjarët të cilët e kanë shpallur të zhdukur në polici.