Eliminimi i Edmond Papës një javë më parë në Tiranë vijon të mbetet pa autor. Ngjarja ndodhi brenda një kafeje, por dëshmitë e personave që janë ndodhur në vendin e ngjarjes kanë zbuluar një situatë tjetër. Edhe pse pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja ka telefonuar dy here policinë, në dëshminë e tij ai ka thënë se i përgjigjej sekretaria.
Teksa shënjestra ishte ulur për të pirë kafe, agresori i maskuar me kapuç e qëlloi duke e lënë të plagosur rëndë. Në dëshminë e tij, siç raporton A2CNN, pronari i lokalit i identifikuar vetëm me iniciale tha se vetë 49-vjeçari e kishte lajmëruar se ishte plagosur. Madje përveç Policisë, nuk u ishte përgjigjur as ambulanca, ndaj ishte e kunata ajo që e dërgoi vetë në spital. Por nuk mundi që t'i shpëtonte jetën.
"Kam qenë brenda në lokal dhe isha në banak. Kam dëgjuar zhurmë dhe mendova ishin fishekzjarrë. Pashë një person me kapuç në kokë dhe pastaj dola nga banaku për te dera dhe në hyrje të lokalit kam parë viktimën, i cili me tha që ishte plagosur dhe të lajmëroja ambulancën. Ishte ora 16:25 dhe telefonova numrin 129 dhe më ka dalë sekretaria, i rashë dy herë. Nuk po më përgjigjeshin dhe shkova te banesa e vëllait të viktimës dhe aty doli kunata e viktimës dhe i kam thënë asaj që është plagosur kunati. U ktheva në lokal dhe hoqa xhupin dhe ia vendosa te koka viktimës dhe i vendosa një peshqir te plagët. Kunata e tij mori makinën për ta transportuar në spital pasi ambulanca nuk kishte ardhur akoma, më pas erdhi policia dhe pastaj ambulanca që e mori dhe çoi në spital,"-tha ai në Polici.
Nga ana tjetër kunata e 49-vjeçarit tregoi se si Papa kishte mbërritur në shtëpi rreth orës 10, së bashku me nënën e tij.