FNSH dhe RENEA kanë ushtruar kontroll sot në shtëpinë e të shumëkërkuarit, Ervis Martinaj, i cili prej disa muajsh rezulton i zhdukur, por edhe në shtëpitë e dy xhaxhallarëve të tij, Rakip dhe Faik Martinaj.
Gazetarja Klodiana Lala, në një intervitë në News 24 ka zbuluar se nga e mori Policia e Shtetit indicien për të kryer këto kontrolle me shpresën se në fakt në këto banesa mund të gjente vetë mbretin e lojërave të fatit.
“Policia e Shtetit është ngritur në alarm për pas një telefonate të përgjuar në burg të sigurisë së Lartë në këtë burg është një person i dënuar për vrasje. Ai ka regjistruar një numër që sipas tij i përket familjarëve të tij, por nga përgjimi i kësaj telefonate ka dalë prova dhe fakte të reja që mund të hedhë dritë mbi fatin e Ervis Martinajt. Pas kësaj telefonate është njoftuar dhe prokuroria. Është ndërhyrë në këto 3 banesa dhe disa ambiente. Ervis Martinaj është vendosur në zonën e Fushë-Kuqes. Në këtë fshat gjithçka ruhet, nuk është e lehtë të hysh në banesën e Ervis Martinajt. Banesat komunikojnë me njëra-tjetrën me masa të fortifikuara”, tha gazetarja Lala.
Ndonëse shkuan për të gjetur Ervis Martinajn të gjallë, policia ka dalë duarbosh, duke mos arrestuar asnjë person. Në njoftimin e publikuar për media, policia ka bërë me dije se në tre shtëpitë e Martinajve janë gjetur rroba policie, armë dhe mbi 7 mijë fishekë. Nuk mund të mungonin as radiot e policisë.