Lideri i Besës, Bilall Kasami reagoi ndaj deklaratës së kryeministrit, Dimitar Kovaçevski i cili tha se “procese që janë me rëndësi strategjike nuk mund të jenë lëndë e shantazhit”, në përgjigje, ndërkaq, ndaj deklaratës së djeshme të Kasamit se Besa do t’i mbështesë ndryshimet e Kushtetutës, nën kushtin që pushteti të dakordohet për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pranverën e ardhshme.
Kasami, siç thotë, e kupton se kryeministri Kovaçevski është në pozitë të palakmueshme dhe duke mos pasur kapacitet politik dhe legjitimitet ta udhëheqë Qeverinë, ai i interpreton ndryshe pozicionet pilitike të Lëvizjes Besa.
“Kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare është kërkesë e shumicës së qytetarëve sepse kjo qeveri nuk del nga legjitimiteti i marrë nga zgjedhjet e fundit parlamentare, prandaj kryeministri nuk duhet të përziejë teza për ndryshime kushtetuese dhe zgjedhje të parakohshme”, qëndron në reagim.
Ndërsa kur flasim për ndryshimet kushtetuese, shtohet në kumtesë, Besa edhe njëherë e konfirmon qëndrimin e vet se kërkon të mënjanohet termi “20 për qind” dhe të ndryshohet me termin “gjuha shqipe”, ceket në reagimin e Kasamit.
“Kryeministër i nderuar, secili që është kundër gjuhës së një populli, posaçërisht në rrethanat e Maqedonisë së Veriut, detyrimisht është kundër vlerave evropiane dhe Bashkimit Evropian”, qëndron në reagimin e Kasamit.