Një dyzinë me forca speciale të policisë rrethuan zonën e "Fushë Kuqes" me synimin për të gjetur gjurmë të Ervis Martinajt. Prej më shumë se 5 muaj, Martinaj është zyrtarisht si i zhdukur, dhe policia nuk ka asnjë adresë të një nga personave më të kërkuar të drejtësisë.
Për të rënë në gjurmët e tij u bashkuan dy operacione policie, ai i “Plumbit të artë”, ku Nuredin Dumani ka rrëfyer gjithçka për SPAK dhe ku përmend emrin e Martinajt si porositës i vrasjes se Endrit Dokles dhe operacionit “Rrëmbim personi”, që ka të bëjë me dyshimet se bosi i lojrave të fatit është rrëmbyer nga kundërshtarët e tij. Megjithë mobilizimin e bluve, duket se edhe këtë herë dolën "duar bosh" nga një operacion që premtonte shumë.
Dyshohet se forcat e policisë kontrolluan tre banesa të xhaxhallarëve të Ervis Martinajt dhe gjetën vetëm armë dhe municione luftarake, gjë e cila nuk përbën lajm pasi ajo zonë njihet si bazë e të fortëve të Fushë Kuqe. Asnjë gjurmë nga Martinaj, asnjë informacion i vlefshëm për vendodhjen e tij si dhe asnjë "arrestim i madh" i personave të cilët dyshohet se mund të kenë ndihmuar Martinajn në aktivitetin e tij kriminal.
Dyshimet në media nga gazetarët e kronikës kanë qenë se Ervis Martinaj është rrëmbyer dhe vrarë nga bandat kundërshtare, por deri më sot nuk është gjendur trupi i tij. Kjo të bën të dyshosh se Martinaj mund të jetë gjallë dhe se po i fshihet më së miri drejtësisë. Të tjera dyshime hidhen mbi faktin se Ervis Martinaj po mbledh forcat e po "shëron plagët" për të marr hak për vrasjen e Brilant Martinajt dhe të disa miqve të tij.
Nëse është gjallë, Martinaj duket se po "shijon" i qetë festat e fundvitit, siç shijoi muajit e verës në plazh i ruajtur nga një polic i quajtur Jeton Lami. Drejtori i Policisë Rrumbullaku dhe SPAK premtuan se shumë shpejt do të japin një version zyrtar mbi fatin e Martinajt por që deri më sot po mbledhin vetëm armët që bosi i lojrave të fatit ka lënë fshehur në lagjen e tij, aty ku cilësohej si i paprekshëm.