Për të vjelë apo për të investuar? Kompania e Alabbar jep vetëm 3.5 milionë lekë për Portin e Durrësit

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 26.12.2022, 11:33

Projekti i Portit të Durrësit, ku do të ndërtohen disa rezidenca banimi, vazhdon të ndiqet nga dritë-hije dhe të shtojë akoma më shumë dyshimet se është një skemë e mirëorganizuar për “vjeljen” e shqiptarëve dhe pastrimin e parave.

Së fundmi zbulohet se fondi fillestar i kompanisë ndërtuese që ka marrë përsipër zbatimin e projektit, është vetëm 3.5 milionë lekë të reja, pra 35 milionë të vjetra. Kjo shifër është shumë qesharake për një projekt të tillë, teksa në marrëveshje thuhet se fondi do të zgjerohet në vazhdim.

Domosdo që kjo do të ndodhë, por me çfarë parash? Pas këtij detaji zbulohet edhe arsyeja përse kompania e Mohamed Alabbar i ka bërë një reklamë të madhe shitjes së apartamenteve, që ka nisur ende pa u marrë leja e ndërtimit. Pra në ajër, teksa blerësi nuk e di saktësisht ku do të jetë vendndodhja e shtëpisë së tij.

Qeveria i ka falur Mohamed Alabbarit mijëra metra katrorë tokë, e ka përjashtuar tërësisht nga taksat shtetërore dhe tashmë biznesmeni arab po kërkon të mbledhë paratë nga xhepat e parave të klientëve, ende pa hapur gropën e pallatit të parë.

Ide perfekte e biznesmenit, por ku qëndron këtu aftësia e shtetit shqiptar, që krenohej me faktin se kanë sjellë në Shqipëri një nga investitorët më të mëdhenj të botës? Po rezulton investitori ka ardhur në Shqipëri vetëm për të “vjelë”, për të dhënë, japin shqiptarët dhe të huajt që duan të shpërngulen në Durrës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit