Në nëntor të vitit të kaluar, biznesmeni Rruzhdi Hoxha u gjet i vrarë dhe i hedhur në një humnerë në Dajt.
Kur kanë kaluar më shumë se një vit që nga kjo vrasje, makina e përdorur në krim është zhdukur. Mediat raportojnë se Prokuroria ka arritur të zbardhë lëvizjet e fundit të mjetit dhe se e vërteta e ngjarjes së rêndë mbetet mes vëllait të Ferdinand Rrushit dhe një tjetër shtetasi me inicialet, B.K.
Në pamjet e kamerave të sigurisë të para nga hetuesit, për 30 minuta mjeti ka qëndruar i parkuar pranë lokalit të vëllait të Ferdinand Rrushit. Në këto pamje në disa raste shtetasi B.K. dhe vëllai i Rrushit kryejnë veprime si ato të kontrollit në mjet, teksa më vonë shihen me një qese të zezë në dorë.
Pak çaste më vonë pranë mjetit shfaqet edhe një punonjës policie, i cili komunikon diçka me vëllain e Ferdinand Rrushit, dhe më pas largohet.
Mjeti i përdorur në krim është zhvendosur nga vendi ku ishte në datën 25 tetor në orët e pasdites. Mjeti ende nuk është gjetur pavarësisht se konsiderohet si pikë kyçe për zbardhjen e vrasjes.
Kujtojmë se pak kohë më para, Ferdinand Rrushi u lirua nga akuzat për bashkëpunim në krim në fshehje të provave.