Në afro 10 muaj luftë me Ukrainën, Rusia tregoi se së paku mund të "kërcënojë" botën me furnizimin me gas dhe me grurë. Ndikim për këtë pati edhe Shqipëria, e cila prej vitesh është e varur nga Rusia për furnizimin me grurë. Pas Rusisë, Shqipëria i shtrin dorë për grurë edhe Serbisë, pasi nuk është në gjendje të mbulojë të gjitha nevojat për popullatën. Një konflikt mjaftoi që Rusia dhe aleatja e saj, Serbia, të mbyllin hambërët për Shqipërinë. Po përse dështojnë skemat e qeverisë për të nxitur mbjelljen e grurit?
Së pari, qeveria shqiptare ofroi një shumë qesharake prej 300 mijë lekë të vjetra për hektarë për mbjelljen e grurit. Këtë subvencion e përfituan vetëm 3500 fermerë në gjithë vendin, ndërkohë që vetëm në Lushnje e Divjakë aplikuan mbi 10 mijë fermerë. Me këto para, maksimumi që mund të bënte një fermer ishte punimi i tokës me traktor. Një dynym tokë punohet me plyk mesatarisht me 15 mijë lekë të vjetra, me 15 mijë lekë të vjetra po ashtu frezohet dhe kaq mjafton që për 1 hektarë tokë, paratë që ofron qeveria të shërbejnë vetëm për bërjen e tokës gati.
Këtë vit plehrat kimike u shtrenjtuan shumë dhe fermerët nuk patën mundësi të blinin sipas sasisë që kërkon një prodhim bujqësor. Në mbjelljen e grurit qeveria nuk siguroi para të mjaftueshme për plehrim, blerjen e farës, apo shërbimet e tjera. Nga viti në vit, sipërfaqet e mbjella me grurë po bien në Shqipëri pasi edhe fabrikat e miellit në vendin tonë furnizohen me grurë serb e rus.
Në vit Shqipëria prodhon mesatarisht 235 mijë tonë grurë, dhe importon mesatarisht 250 mijë tonë nga Serbia, Rusia dhe vende të tjera. Kosova një vend më i vogël se Shqipëria, arrinë të prodhojë rreth 275 mijë tonë grurë në vit, dhe për fermerët qeveria ofron rreth 600 euro për çdo hektarë të mbjell. Qartazi, për shumë vite duket se Shqipëria do t'i mbajë sytë nga Rusia dhe Serbia për të siguruar "bukën e gojës".