Një grup burrash të dehur e të veshur si Babagjyshi i Krishtlindejve tentuan të drejtojnë një tank të ushtrisë në një qytezë festive në jugperëndim të Britanisë. Kjo lëvizje e tyre tërhoqi vëmendjen e policisë.
Babagjyshët qejflinj, që ishin ushtarakë të bazës aty pranë, zemëruan rezidentët teksa u filmuan duke marrë kontrollin e tankut në Cornwall.
Por episodi qesharak tërhoqi vëmendjen e vendasve dhe një polic trafiku shihej që po u bërtiste burrave për mjetin që kishin lënë në mes të rrugës.
Rrjeti vendas Cornwall Live raportonte se oficeri paralajmëronte ushtarakët e dehur të mos dëmtonin makinat e parkuara. Ndërsa në rrjetet sociale, ngjarja u trajtua si një sjellje e papranueshme nga ushtarakët.
“Një tank i ushtrisë që drejtohet nga babagjyshë të dehur mbetet në rrugë në Angarrack”, shkruante një grua.
Një tjetër person tha me shaka: “Tani i kam parë të gjitha, tanku i ushtrisë i drejtuar nga babagjyshët bllokon rrugën e fshatit”.
Një zëdhënëse e policisë konfirmoi se një makinë ishte dëmtuar nga tanku, duke thënë: “Oficerët erdhën në vendngjarje për të ndihmuar dhe përcaktuar detajet. Nuk u morën masa të mëtejshme.”