Festat e fundvitit janë në prag dhe emigrantët kanë nisur të kthehen në atdhe, ku janë krijuar radhë të mëdha në të gjitha pikat e hyrjes në vendin tonë. Në Portin e Durrësit fluksi ka nisur që në ditën e djeshme dhe deri në orët e fundit të ditës së sotme do të kenë ardhur edhe 5 tragete nga Bari dhe Ankona.
Në 24 orët e fundit në Durrës janë mbërritur më shumë se 4 mijë emigrantë dhe mbi 1 mijë automjete. Autoritetet kanë shtuar masat pas fluksit të madh të emigrantëve. Ndërkohë, në Kakavijë në këtë vit fluksi i emigrantëve që vijnë nga Greqia, është dyfishuar. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë mbërritur rreth 4700 emigrantë.
Nga ana shqiptare e doganës po punohet me tre sportele në hyrje dhe tre të tjerë në dalje. Fluksi pritet të shtohet në ditët në vijim për shkak se Krishtlindjet janë në prag. Ndërkohë, ka kontroll shumë të shtuar në kufi, më së shumti në bagazhet e mjeteve. Në juglindje, veçanërisht në Korçë është regjistruar një numër i madh prenotimesh.
Edhe në Kapshticë është vënë re një shtim i fluksit të emigrantëve. Autoritetet shqiptare po punojnë me gjashtë sportele, ndërsa Greqia me tre. Autoritetet tona kanë kërkuar shtim të sporteleve nga pala greke. Mbi 3600 persona kanë hyrë në Shqipëri gjatë 24 orëve nga kjo pikë kufitare, ndërsa shumë të tjerë kanë kaluar drejt Greqisë, për të kaluar festat pranë familjarëve të tyre që ndodhen atje.