Edhe dy ditë na ndajnë nga 22 dhjetori, ditë kur pritet të jepet vendimi për ish-nënkryetaren e Parlamentit Europian, Eva Kaili. Ajo u arrestua sëbashku me partnerin e saj Francesco Giorgi dhe me dy persona të tjerë, pasi akuzohen për tre vepra penale, atë të pastrimit të parave, korrupsionit dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Por ndërsa presim vendimin, Eva Kaili ka rrëfyer se i ka kërkuar të atit që të fshihte një pjesë të madhe të parave të gjetura në shtëpinë e saj. Lajmin e ka bërë të ditur gazeta belge “Le Soir”.
Kujtojmë se në dëshmitë e para që Kaili ka dhënë kishte mohuar kategorikisht të kishte dijeni për valixhen me para që kishte qëndruar në shtëpinë e saj. Madje ajo ka theksuar se paratë i ka parë vetëm pak ditë para se të ndërhynte policia dhe atëherë i ka kërkuar bashkëshortit të saj t’i largonte nga shtëpia.
Në të njëjtën kohë, gazeta italiane “La Repubblica” shkruan se eurodeputetja greke ka rrëfyer para prokurorit belg, Michel Clez, se e ka ditur për aktivitetet e Pantzerit, por edhe për valixhet me paratë.
“Është e vërtetë, unë e kam ditur për aktivitetin e zotit Pancheri. E dija që në shtëpinë time kishte valixhe plot me para”, mësohet të ketë thënë Eva Kaili.
Duke cituar dokumente nga hetuesit belgë, gazetarët e gazetës italiane raportojnë se “pas arrestimit të bashkëshortit të saj, Kaili u përpoq të paralajmëronte Pancherin dhe dy eurodeputetë për hetimin aktual, gjë që përfundimisht bëri që autoritetet ta arrestonin edhe atë.”
Raportet thanë se kur partneri i zonjës Kaili, Francesco Giorgi, u mor në pyetje, ai pranoi se kishte punuar për Marokun dhe Katarin për të ndërhyrë në çështjet evropiane. Gjithashtu, sipas “Le Soir”, Pancheri dyshohet se është marrësi i dhuratave nga Katari dhe eurodeputeti socialist Marc Tarabella.