Një aksident i rëndë raportohet të ketë ndodhur në periferi të Elbasanit, ku si pasojë ka humbur jetën një 38-vjeçar, drejtues i mjetit dhe tre të tjerë janë plagosur dhe janë dërguar me urgjencë në spital.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e quajtur Qafë Mollë në fshatin Samurr të Njësisë Administrative Labinot Fushë, rreth 20 kilometra larg qytetit të Elbasanit.
Mësohet se automjeti tip "Mercedes Benz" ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga dhe u rrokullisur disa herë nga një lartësi e madhe dhe shkaktuar bilancin e rëndë. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë policia dhe autoambulanca.
NJOFTIMI I POLICISË – Më datë 20.12.2022, rreth orës 9:15, në aksin rrugor Samurr-Qafë Mollë, shtetasi B. S., duke drejtuar automjetin tip “Benz”, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Si pasojë, ka humbur jetën drejtuesi i automjetit, shtetasi B. S., 38 vjeç, si dhe janë dëmtuar 3 pasagjerët, shtetasit M. M., F. M. dhe B. M., të cilët u dërguan në spital, për të marrë ndihmë mjekësore. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkakut të aksidentit.