Një ngjarje tronditëse ndodhi dje në kryeqytetin grek të Athinës, ku mbetën të vdekur Kreshnik Çerçizaj, 41 vjeç dhe Armando Ogranja, 44 vjeç pas një atentati mafioz të ndodhur në një lokal në zonën e Nea Smyrni.
Gazeta greke, Protothema, ka publikuar pamje të momentit kur Armando Ogranja shihet i shtrirë në tokë, pasi u plagos rëndë nga një person i maskuar, i cilësuar nga mediat si vrasës profesionist.
44-vjeçari shihet në tokë, teksa duket që nuk ka humbur ndjenjat, por mundohet të shohë plagët e tij. Ogranja ndërroi jetë pak orë pas ngjarjes. Sipas asaj që raportohet, shënjestra kryesore e atentatit mësohet të ketë qenë Kreshnik Çerçizaj.
Ai njihej me emrin Niko në zonë dhe ofronte mbrojtje nga bandat e tjera për biznesmenë dhe të tjerë në këmbim të pagesës. Një nga dëshmitarët thanë se ngjarja ndodhi në një moment kur lokali ishte plot, pasi po luhej finalja e Botërorit, Argjentinë-Francë.