Një stuhi ere e cila zgjati pak minuta, dëmtoi në disa fshatra të Roskovecit mbi 20 fermerë. Kryesisht moti i keq krijoi dëmtime duke çarë plastmaset e duke prishur strukturat e serave. Gjatë kohës së stuhisë, një pjesë e mirë e serave kanë qenë të mbjella, ku si pasojë janë dëmtuar dhe fidanët. Dëmi sipas fermerëve është i madh dhe shkon disa milionë lekë.
Nga ana e bashkisë, sipas fermerëve nuk ka pasur asnjë interesim për dëmet e shkaktuara. Fermerët ankohen se pushteti vendor nuk ka qenë asnjëherë në mbështetje të tyre në rastet e fatkeqësive natyrore, duke u detyruar t'i paguajnë vetë dëmet e shkaktuara.
Përveç disa fshatrave në Roskovec, raportohet se dëme në sera ka pasur edhe në fshatra të Lushnjes e Beratit.