Peticioni, “një copë letër” për deputetët/ Nga 42 të dorëzuar në Kuvend, vetëm një u miratua

Shkruar nga: A Koci | Publikuar më: 17.12.2022, 20:49

Të 140 deputetët që janë sot në Parlamentin shqiptar, nuk punojnë për shqiptarët. Ata duket se janë në sallën më të rëndësishme të Shqipërisë, vetëm për interesat e tyre, e jo të votuesve që u sigurojnë mandatet.

Kjo tregohet qartë nga një statistikë e thjeshtë dhe e qartë. Në 5 vite, shqiptarët kanë dorëzuar në Kuvend 42 peticione, 42 kërkesa për t'u plotësuar, por mes tyre vetëm një është marrë në shqyrtim.

Të dhënat konfirmohen nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit në një raport analizues të secilës çështje. Peticionet pasi janë dorëzuar në Kuvend, janë lënë në sirtarët e pluhurosur pa marrë mundimin për t'u shqyrtuar.

Justifikimet kanë qenë të shumta, socialistët thonë se i kanë kompetencat kryetarët e komisioneve, kryetarët e komisioneve thonë që peticioni nuk u ka ardhur i plotë, ndërsa demokratët justifikohen me faktin që e kanë në dorë socialistët. Por në të vërtetë asnjë deputet nuk ka marrë një peticion dhe t'a dorëzojë me dorën e tij në sekretarinë e Kuvendit, e t'a ndjekë atë deri në zgjidhje.

Por si funksionojnë peticionet në Shqipëri dhe përse është kaq e vështirë që shqiptarët t'u kërkojnë llogari deputetëve?! Çdo deputet ka të drejtën të dërgojë një projektligj në Parlament, për një çështje të caktuar pa asnjë pengesë.

Për një gjë të tillë, duhet të bëhen bashkë 20 mijë shqiptarë me emër, mbiemër, kartë ID dhe firmë. Pasi kuota prej 20 mijë firma plotësohet, peticioni dërgohet në Kuvend për ndryshimin e një ligji ose propozimin e një ligji tjetër. Ky peticion duhet të shqyrtohet fillimisht nga sekretaria e Kuvendit e më pas në një nga Komisionet. Më pas nëse kalon këto dy hallka mund të kalojë për diskutim dhe votim në Parlament.

Shqipëria është një ndër vendet e vetme në Europë që nuk ka të drejtën e referendumit. Në mungesë të kësaj të drejte, shqiptarët i drejtohen peticioneve. Por që dhe kjo mënyrë nuk funksionon, pasi në 42 peticione, vetëm 1 pret tyre është shqyrtuar në harkun e 5 viteve të fundit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit