Esme Madill është një avokate, e cila punon më së shumti me shqiptarët që mbërrijnë në Londër dhe i ndihmon të kërkojnë azil në Britani dhe të plotësojnë procedurat e nevojshme. Javën e kaluar ajo ka folur para Komisionit të Punëve të Brendshme dhe ka mbrojtur fort emigrantët që mbërrijnë në Angli nga Shqipëria.
Madill, e cila është avokate në Qendrën Juridike në Islington hedh poshtë akuzat e hedhura nga politika dhe mediat angleze se emigrantët shqiptarë po përfitojnë dhe po mashtrojnë sistemin ligjor anglez të refugjatëve. Kjo deklaratë e saj vjen pasi u mësua se shumica e shqiptarëve nuk do të jenë në gjendje të kërkojnë azil, sipas planeve të qeverisë.
“Disa emigrantë shqiptarë nuk mund të tregojnë kurrë historitë e tyre. Disa vajza që kanë qenë të shfrytëzuara për prostitucion, nuk do të thonë kurrë se çfarë kanë kaluar. Disa djem që janë mbajtur për shtatë, tetë, nëntë muaj të mbyllur në shtëpi me kanabis… ata kurrë nuk do të më tregojnë gjithçka që kanë kaluar.
Shpesh klientët e mi kanë plagë, shenja litari në shpinë nga rrahjet apo nga përpjekjet për të ikur. [Rrëmbyesit] i dhunojnë barbarisht si ndëshkim për humbjen e lëndës narkotike dhe të gjithë djemtë kanë prerje të rënda që janë infektuar”, shtoi ajo.
Madill thotë se shumë shqiptarë, që mbërrijnë si azilkërkues në Britani po i shpëtojnë dhunës ose janë trafikuar për të shlyer borxhet e familjes, një rast që ndodh rëndomtë në fakt në vendin tonë. Ka plot raste kur djem të rinj përfundojnë në shtëpitë e barit me qëllimin për të nxjerrë familjen nga borxhet.
“Familjet mund të kenë marrë borxhe për të paguar kujdesin mjekësor, për një operacion të syrit për të shpëtuar shikimin e dikujt brenda familjes, ose kanë marrë para borxh për një fëmijë me aftësi të kufizuara që të operohet.
Dhe për shkak se nuk ka të njëjtat mundësi për huadhënie parash që do të kishte këtu, ata do t'i marrin ato para borxh nga bandat e krimit. Atëherë trafikantët shkojnë dhe marrin një fëmijë për të punuar në kanabis për të shlyer atë borxh”, tregon Madill.
Madill shprehet gjithashtu se emigrantëve shqiptarë u bëhen një numër shumë i madh pyetjesh dhe mbahen deri në gjashtë orë në intervistë. Kjo provë, sipas saj, është e pamundur të kalohet nga një njeri i thjeshtë dhe është provë që sistemi nuk është aspak i lehtë.
"Pesë klientëve të mi fundit që shkuan për intervista iu bënë mesatarisht 126 pyetje në detaje rreth arsyeve që ata po ikin. Kushdo që apelon një vendim të zyrës së Home Office duhet t'i nënshtrohet një tjetër ‘dëgjimi kundërshtues’.
Unë mendoj se ne flasim shumë për njerëzit që mashtrojnë sistemin dhe nuk jam e sigurt nëse është gjithmonë e qartë se sa rigoroz është sistemi. Nuk është një sistem i lehtë për t'u mashtruar, në fakt është shumë e vështirë për njerëzit e zakonshëm të kalojnë atë sistem”, përfundoi Madill.