Sektori i përpunimit të qumështit, prej gati një viti, vijon të jetë në vështirësi nga shtimi i kostove. Prej fillimit të vitit 2022, çmimi i qumështit të lopës u shtrenjtua nga fermat e vogla dhe të mëdha me 75-100% krahasuar me vjet.
Pavarësisht çmimit të lartë, përpunimi i produktit po has vështirësi, pasi numri i fermave të vogla është tkurrur nga emigrimi dhe shtrenjtimi i lëndëve të para ushqyese për kafshët. Rënia e prodhimit ka shtrenjtuar produktet e bulmetit, ndërsa sasia e djathit të staxhionuar është në rënie krahasuar me vjet.
Fabrikave u janë shtuar kostot prodhuese edhe nga heqja e skemës për kreditimin e TVSH-së 6% që nisi zbatimin nga 1 janari 2022, vendosja e akcizës të gazit 6 lekë për litër, rritja e çmimit të energjisë, karburantit dhe materialeve ambalazhuese.
Këta faktorë kanë ndikuar që çmimet e produkteve të bulmetit, sipas të dhënave të operatorëve, të rriten 40 deri në 50% për periudhën janar-tetor krahasuar me vitin e kaluar.
Shtrenjtimi i çmimeve ka zvogëluar konsumin deri në 20% më pak se vjet, duke shtuar edhe efektin e largimeve masive të popullatës, siç pohojnë drejtuesit e fabrikave të qumështit. Nga pranvera 2023, prodhimi i qumështit nga bagëtitë e imta parashikohet të ketë një rritje 20-30%.
Sipas Monitor, operatorët ngrenë shqetësimin se prej një viti po përballen me mungesën e qumështit, sidomos të lopës, për shkak të emigrimit dhe shtrenjtimit të lëndëve ushqyese të kafshëve. Përveç vështirësive për gjetjen e qumështit, çmimi nga fermerët ka pasur rritje shumë të lartë. Një litër qumësht vjet ishte 38 deri në 40 lekë, aktualisht po shitet 70 dhe 80 lekë (rritja 75-100%).