Shqiptarët janë epiqendra e medieve britanike dhe së fundmi edhe ata që janë brenda burgjeve kanë arritur të bëhen protagonistë. “Daily Mail” i ka dedikuar së fundmi një artikull Edison Kaculit dhe të njohurve të tij, të cilët sipas medieve, sfidojnë policinë britanike duke futur celular në burg dhe publikuar video në Tik Tok.
Daily Mail shkruan se gangsterët shqiptarë po postojnë video nga brenda burgut në llogaritë e rrjeteve sociale. Një video e publikuar në TikTok tregon të dënuarin Edison Kaculi, 28 vjeç, duke bërë simbolin e armës me duar, ndërsa ai dhe miqtë kërcenin në një qeli me muzikë rrep.
Kaculi, i cili mendohet se ka hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar tre vjet më parë, u dënua në korrik për atë që gjykatësi e përshkroi si një 'sulm të tmerrshëm' në një mosmarrëveshje droge.
Në një nga disa video të postuara nga një përdorues gjatë ditëve të fundit, Kaculi shihet duke pirë duhan në qeli dhe një zë thotë: 'Gang s***, çunat e mi”, ndërsa përdorin duart për të bërë gjeste me armë. Nuk është e qartë se në cilin burg në Mbretërinë e Bashkuar janë filmuar pamjet.

Edison Kaculi
Foto të tjera tregojnë një grup prej katër burrash të ulur në një qeli të veshur me pantallona sportive dhe tuta ndërsa bëjnë gjeste fyese ose armë me duar.
Komentet në dy nga videot identifikojnë Kaculin. Një nga ndjekësit shkruan: “Lirim të shpejtë, Edison Kaculi”. Videot u hoqën më vonë pasi “MailOnline” kontaktoi Ministrinë e Drejtësisë dhe u krye një kontroll në burg, megjithëse nuk dihet nëse telefoni u zbulua.
Por përpara se të hiqeshin, më shumë se 13,000 njerëz panë videot, që tallnin shërbimin e burgut dhe përpjekjen e tij për të eliminuar telefonat brenda qelive.
Sipas statistikave të fundit të Home Office, aktualisht janë më shumë se 1330 shqiptarë, që vuajnë dënimin në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar, duke i kushtuar taksapaguesit britanik më shumë se 57 milionë paundë në vit.
Kaculi u burgos për një sulm që ndodhi në Gravesend, Kent, në qershor 2020, ku një burrë përfundoi me një sërë lëndimesh të rënda.
Gjykata e Maidstone Crown dëgjoi se si ai ishte goditur me thikë pesë herë në këmbë, kishte humbur disa dhëmbë dhe ishte lënë i mbuluar me prerje dhe mavijosje, pasi iu zu pritë nga dy banda të ndryshme brenda pak minutash.
Kaculi, pa adresë fikse, ishte i pari që mbërriti në vendin e sherrit në vendngjarje dhe e shtyu viktimën nga biçikleta, përpara se ta godiste vazhdimisht me grushte dhe shkelma. Ai mohoi të ishte përgjegjës për goditjen me thikë, por u deklarua fajtor për plagosje.