Ashtu siç ishte paralajmëruar, është mbajtur ditën e sotme para ambasadës së Serbisë një protestë kundër politikave shoviniste serbe. Ky organizim vjen pak ditë pas nisjes së tensioneve në veri të Kosovës, me presidentin Vuçiç, që ka dërguar kërkesë në NATO për rikthimin e ushtarëve të tyre në veri të Kosovës.
Qytetarë të thjeshtë dhe anëtarë të shoqatave aktiviste në Shqipëri i janë bashkuar protestës, teksa bëjnë thirrje për qetësim të situatës dhe ndalim të retorikës që serbët përdorin.
“Jemi paqësor dhe jo agresiv”, kanë qenë thirrjet e tyre, teksa janë shfaqur me flamurin kuqezi me hartën e trojeve shqiptare para ndarjes së 1913-ës dhe figurat kryesore shqiptare, i valëvitur nga Ballist Morina në Beograd.
Figurat e Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Adem Jasharit nuk kanë munguar gjithashtu. “Jemi një”, ishte një nga banderolat, teksa në fjalët e tyre para ambasadës kanë përmendur disa nga padrejtësitë që serbët i kanë bërë shqiptarëve.