Edhe sezoni pozitiv turistik nuk e ka frenuar tendencën në rënie të thirrjeve nga rrjetet celulare.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në tremujorin e tretë të vitit trafiku i thirrjeve celulare pësoi rënie me 12.8% krahasuar të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas Monitor, trafiku pësoi tkurrje në të gjitha segmentet kryesore, përfshirë thirrjet brenda rrjetit, ato jashtë rrjetit dhe drejt rrjeteve kombëtare fikse. Rritje pësuan vetëm thirrjet ndërkombëtare, të nxitura ndoshta nga një prani më e madhe e jorezidentëve në territorin shqiptar. Rënie pësoi edhe numri i mesazheve të shkruara, me 4.2% më pak krahasuar me një vit më parë.
Mesatarisht, një përdorues i telefonisë celulare konsumoi 148 minuta në muaj, shifër kjo 20% më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 16 mesazhe të shkruara në muaj, 12% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Përdorimi i shërbimeve celulare nga shqiptarët po orientohet gjithnjë e më shumë drejt internetit, në përputhje me tendencat globale. Kjo tendencë e bën cilësinë e ofrimit e shërbimit një element gjithnjë e më të rëndësishëm mes operatorëve. Krahasuar me shërbimet bazike të thirrjeve zanore dhe mesazheve të shkruara sms, ofrimi i shërbimit cilësor të transmetimit të të dhënave është më i kushtueshëm, sepse kërkon më shumë frekuenca dhe më shumë investime në infrastrukturë rrjetesh dhe në teknologji.