Blendi Gonxhja rizgjohet nga gjumi. Duket se ka filluar përsëri të fusë duart në thasët e mëdhenj me para që qarkullojnë në rastet e tenderave. Institucioni që ai drejton, DPSHTRR, ka organizuar një tender të dyshimtë me vlerë mbi 1 miliardë lekë të vjetra.

Bëhet fjalë për procedurën me numër reference REF-43817-09-29-2022 dhe me objekt “Rikonstruksion në Drshtrr Durrës, rehabilitimi i sheshit dhe godinës së kontrollit teknik”. Fondi limit i këtij tenderi është llogaritur në vlerën 91,655,326 lekë të reja pa TVSH ose gati 1.1 miliardë lekë të vjetra me TVSH.

Por nëse hulumtojmë dokumentacionin e tenderit vihet re një episod mjaft i dyshimtë. Kështu rezulton se në garë kanë marrë pjesë 8 operatorë, por njëri prej tyre ka ofruar zero lekë. Ky është një fakt mjaft i dyshimtë pasi nuk ka asnjë logjikë ekonomike që një garues të marrë pjesë në një garë dhe të mos ofrojë asnjë vlerë.

Kjo ndodh tipkisht në ato raste kur fituesi është i paracaktuar që në fillim dhe nevojiten garues të tjerë sa për numër. Fituese është shpallur firma ERGI në pronësi të shtetasit Nuri Balla, e cila ka ofruar 84,967,387 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1 miliardë lekë të vjetra me TVSH.
Ndërkohë rezulton se të paktën 3 operatorë ekonomikë kanë ofruar vlera më të ulta sesa fituesi, më një diferencë jo të vogël. Madje diferenca mes fituesit dhe operatorit me vlerën më të ulët është plot 175 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Nga ana tjetër nëse krahasojmë vlerën fituese me fondin limit të tenderit shohim se ka çudira. Kështu rezulton se fituesi ka ofruar thuajse 93% të fondit limit, duke i rritur së tepërmi dyshimet se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar.