“Vinin nga disa vende, ishin pamje të frikshme”, peshkatari që shpëtoi 31 emigrantë tregon me detaje incidentin

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 14.12.2022, 15:16

Kapiteni i një anijeje peshkimi, i cili bashkë me anëtarët e tjerë të bordit arriti të shpëtojë plot 31 persona të ngecur në det të hapur në Kanalin e La Manshit, tregon skenat që ka parë dhe detaje nga ngjarja e rëndë, që ka ngritur në këmbë gjithë hallkat drejtuese të shtetit britanik.

Kapiteni Raymond në një intervistë për “Sky News” tha se po flinte dhe u zgjua nga një anëtar tjetër i ekuipazhit në anijes, i cili i tha se ka emigrantë që kërkojnë ndihmë pranë anijes.

“Një djalë po varej te telat. Në fillim mendova se ishte vetëm ai dhe sapo mora pajisjet e mia të peshkimit, proces që zgjati rreth tre minuta, ndalova varkën dhe nxitova të dal jashtë. Përgjatë anijes në anën e Portit, ishin varur pesë prej emigrantëve në anë të varkës”, shprehet ai fillimisht.

Raymond tregoi se numëroi rreth 45 persona në gomonen e shpërfytyruar dhe rreth varkës së tij. Katër prej emigrantëve kanë humbur jetën, teksa të tjerët arritën të mbijetonin. Burime nga qeveria kanë raportuar 4 viktima dhe 43 persona të shpëtuar, që janë akomoduar në ambientet mjekësore të Mbretërisë së Bashkuar.

Pasi pesë të parët, që ishin kapur në anijen e Raymond u ngjitën në bord, dhjetëra të tjerë notuan drejt varkës së tij të peshkimit. “Ishin pamjet e një filmi të Luftës së Dytë Botërore. Kudo kishte njerëz që bërtisnin për ndihmë. Më pas gomonia nisi të largohej dhe ne nxituam të vendosim një litar në anë të varkës.

Po përpiqeshim me sa forcë kishim të afronim gomonen me varkën tonë. Më thanë se i kishin paguar 5000 paundë një kontrabandisti në Francë. Thirrëm menjëherë rojet bregdetare. Kaluam më shumë se dy orë duke tërhequr njerëzit nga uji. Të pushton një adrenalinë dhe gjen një forcë të brendshme për t’i shpëtuar ata djem”, tregon Raymond.

Ai shtoi se emigrantët që shpëtoi vinin nga Afganistani, Iraku, Senegali dhe India, duke ulur kështu shanset që në atë varkë të ketë pasur shqiptarë, teksa duhen pritur njoftimet zyrtare të autoriteteve për të hequr tërësisht dyshimet. Raymond tregon se një person i kapur në anën tjetër të varkës së tij nuk i kishte mbijetuar dot temperaturave të ulëta.

“Nisëm të tërhiqnim ekuipazhin për të çuar ata që shpëtuam në port, por kuptuam se një emigrant ishte mbytur në anën tjetër të varkës. Një nga ekuipazhi bërtiti duke treguar se ka një litar në anën e djathtë të varkës. Nuk e dija se një person i vdekur ishte lidhur me varkën.

Ishim përqendruar në anën e portit dhe ai person ishte lidhur në anën e djathtë të anijes. Ishte lidhur në pajisjen time të peshkimit në kyçin e dorës për të mbajtur veten pranë varkës. Kur ndeza motorin e varkës dhe po nisesha, trupi i tij u ngrit lart”, tregon Raymond, që me atë që ka bërë, mund të konsiderohet një hero i vërtetë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit