Katër zyrtarë të Policisë së Kosovës të cilët që nga e shtuna kishin qenë të bllokuar në barrikadat e vendosura nga serbët lokal në veri të vendit, janë larguar nga aty.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka konfirmuar për Reporterin se zyrtarët policorë që kishin mbetur të bllokuar në barrikada, kanë lëvizur mbrëmë për në stacionin policor Leposaviq, ku edhe qëndrojnë.
“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se, njësiti policor në përbërje prej katër zyrtarëve policor të cilët ishin me detyrë zyrtare në atë zonë, të njëjtit veçse kanë lëvizur mbrëmë për në stacionin policor Leposaviq, ku edhe qëndrojnë”, ka thënë Kelani.
Pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mbetet e bllokuar, pesë ditë pas vendosjes së barrikadave nga serbët në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq.
Që nga e shtuna kur u vendosën barrikadat në Rudarë, ato vazhdojnë të jenë aty përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve që ato të hiqen. Pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe në ditën e pestë, ndërkaq shkollat sipas raportimeve nuk janë hapur as sot.