Të paktën tre emigrantë kanë humbur jetën mëngjesin e sotëm në kanalin e La Manshit, duke u përpjekur për të mbërritur me gomone në Angli. Sipas medieve angleze një gomone me rreth 30 persona në të është përmbytur për shkak të një çarjeje që ajo ka pësuar për shkaqe që ende nuk dihen dhe rreth orës 3:00 të mëngjesit janë lajmëruar rojat bregdetare të Britanisë së Madhe.
Menjëherë pas kësaj mësohet të ketë nisur një operacion ajror dhe detar për të shpëtuar të mbijetuarit, si dhe për të nxjerrë në tokë viktimat. Dy varka shpëtimi RNLI nga Ramsgate dhe Rye, anija patrulluese e Marinës Mbretërore HMS Severn, një varkë patrullimi franceze e rojës bregdetare Kermorvan dhe dy anije peshkimi u raportuan se ishin në vendngjarje të angazhuar në operacion.
Gjithashtu një ambulancë u afrua në Dover Harbor, afër vendit, kur emigrantët zakonisht sillen nga rojat bregdetare gjatë shpëtimit të tyre. Një zëdhënës i Agjencisë Detare tha: "Roja bregdetare HM aktualisht po koordinon një përgjigje kërkimi dhe shpëtimi ndaj një incidenti, që përfshin një varkë të vogël jashtë Kentit.
Ne kemi dërguar varkat e shpëtimit Dover, Dungeness, Hastings dhe Ramsgate RNLI dhe ekipet e shpëtimit të rojës bregdetare Deal, Dungeness dhe Folkestone, së bashku me komandantin e zonës së rojes bregdetare.
Helikopterët e rojeve bregdetare HM nga Lydd dhe Lee on Solent dhe një nga Marina Franceze janë të përfshirë. Një anije peshkimi në zonë po ndihmon gjithashtu në shpëtim. Ambulanca e Bregut Juglindor dhe Policia e Kentit po punojnë me ne dhe një ambulancë ajrore është dërguar."
Ky incident i rëndë një ditë pasi kryeministri Rishi Sunak njoftoi një plan me pesë pika për të trajtuar krizën e emigrantëve të Kanalit, duke përfshirë krijimin e një komande të re operacionale të anijeve të vogla që përfshin ushtrinë, Forcën Kufitare dhe Agjencinë Kombëtare të Krimit.
Ka kaluar pak më shumë se një vit nga fatkeqësia më e rëndë e Kanalit në nëntor të vitit të kaluar, kur një gomone me 34 emigrantë u mbyt në Kanalin Anglez, duke vrarë 31 njerëz dhe një foshnjë të palindur.
Një zëdhënës i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar tha: "Ne jemi në dijeni të një incidenti në ujërat tona dhe të gjitha agjencitë përkatëse janë angazhuar. Detaje të mëtejshme do të jepen në kohën e duhur." Aktualisht nuk ka asnjë informacion mbi identitetin apo kombësinë e emigrantëve që ndodheshin në gomone. Deri atëherë shpresojmë që asnjë shqiptar të mos jetë gjendur në atë gomone.