Ish-prokurorja Antoneta Sevdari ka arritur të fitojë çështjen kundër qeverisë në Gjykatën e Strasburgut. Ajo u shkarkua pasi nuk arriti të kalonte deri fazat e fundit procesin e vetingut.
Gjykata e Strasburgut në vendimin e saj arsyeton se në rastin e ish-prokuorores ka shkelje të nenit 8 dhe se shkarkimi nuk ka qenë proporcional. Për pasojë, shteti shqiptar do ta dëmshpërblejë Sevdarin me 24 600 euro.
Ajo e kaloi shkallën e parë të vetingut dhe u zgjodh anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por më pas u shkarkua nga detyra nga KPA-ja. Pas këtij vendimi, Sevdari e çoi çështjen në gjykatën e Strasburgut.
Ish-prokurorja u shkarkua në vitin 2019 nga trupa e vetingut, ku ishte pjesë edhe Luan Daci, ndaj të cilit Sevdari shprehej se është shkarkuar nga një prokuror që nuk di të shkruajë dhe ka një CV “ulëritëse”.
Sipas saj, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit qëndrojnë me shumicë persona pa integritet moral dhe profesional, që nuk e njohin Kodin Penal dhe në vend të reformimit të drejtësisë shqiptare, po e shkatërrojnë atë në themele.
Para Sevdarit, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i dha të drejtë edhe ish-prokurorit Besnik Cani, i shkarkuar në vitin 2020 gjatë procesit të vetingut. Ndërkohë, Luan Daci është shpallur fajtor nga gjykata e posaçme GJKKO për falsifikim.