Julian Agalliu, i cili bënte një jetë luksi bashkë me gruan e tij, është arrestuar për trafik droge dhe së fundmi ka nisur procesi i gjyqit ndaj tij. Çështja e 47-vjeçarit ka bërë jehonë në Angli dhe po ndiqet me shumë interes për shkak se ai ishte i martuar me një police, e quajtur Rasvinder Agalliu.
Ajo ka shërbyer për plot 15 vite si oficere policie në “Metropolitan Police” të Londrës. Rasvinder ka pasur një karrierë edhe në modelin, pasi më parë ishte shpallur “miss”. Ajo është përjashtuar nga policia menjëherë pas arrestimit të të shoqit.

E pyetur në gjykatë, Rasvinder ka deklaruar se nuk dinte asgjë mbi aktivitetin e Julianit, teksa paradoksi qëndron në faktin që ajo dhe i shoqi jetonin në një shtëpi mjaft luksoze dhe burri i saj kishte një Audi me vlerë mbi 70 mijë paundë. Ai ishte shumë i fiksuar me markën “Luis Vuitton”.
E shoqja deklaroi se Julian Agalliu fitonte mirë, sepse ishte drejtues i një ekipi futbolli. Të premten ai u shpall fajtor për akuzat, ndërsa nga përgjimet rezultoi se shqiptari krenohej për punën e të shoqes. Ai u thoshte kontakteve të tij se ishte i martuar me një police të MET.

47-vjeçari ra në gjurmët e policisë në momentin kur u arrit dekodimi i bisedave të kryera në “EncroChat”. Në një rast, Agalliut iu kërkua nga kontaktet e tij që e shoqja të zbulonte disa informacione. Në banesën e tyre luksoze në Londër u zbulua kokainë dhe një sasi parash.