Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të diele. Një makinë ka përfunduar në lumë, pasi dyshohet se ka rënë nga një urë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Polenë të Korçës. Nga aksidenti i rëndë ka humbur jetën një person, i dentifikuar si Artan Pishtari, 45 vjeç nga Voskopoja.
Siç shihet nga pamjet e mëposhtme makina e tij ka përfunduar në lumë dhe 45-vjeçari ka humbur jetën në vendngjarje.
Njoftimi i policisë:
Korçë/Informacion paraprak
Më datë 11.12.2022, rreth orës 20:38, tek ura pranë fshatit Polenë, Korçë, shtetasi A. P., 45 vjeç, duke drejtuar një automjet tip "Nissan", dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe automjeti ka dalë nga rruga, duke rënë në lumë.
Drejt vendngjarjes u dërguan ambulanca, shërbimet e Policisë Rrugore dhe zjarrfikësja, të cilët bënë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë, të drejtuesit të automjetit shtetasit A. P., i cili udhëtonte i vetëm.
Trupi i 45-vjeçarit, u dërgua në morgun e spitalit Korçë, për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.