Jolanda Palushi ka bërë një zgjedhje jo të lehtë për jetën e saj. Përballë profesionit dhe një pune që siguronte më shumë të ardhura për familjen, ajo zgjodhi të dytën. Dikur ajo ka qenë mësuese, një pasion i lindur që kur ishte nxënëse, por që sot nuk jep dije. Jolanda ka hapur një sallon bukurie dhe punon si estetiste.
Zgjedhja ishte e vështirë por ajo thotë se puna si mësuese nuk i sillte shumë të ardhura. Veç kësaj Jolanda vuante mungesën e dinjitetit të profesionit, ajo thotë se nuk e ka shijuar faktin e të qenurit mësuese. Ajo thotë se nuk do të kthehet asnjëherë të punojë si mësuese, duke e lënë kështu zanatin e saj.
“Në fillim e kisha shumë qejf matematikën, mësuesinë, por ka ndryshuar shumë. Dukej mirë se e shtunë e dielë pushim, me orare jo shumë të zgjatura, për një femër ngjan puna e duhur, por është shumë e vështirë. Mësuesi nuk ka autoritetin e dikurshëm si dhe ka një pagë shumë të ulët. Unë nuk ia dal dot me pagën e një mësuesi, është qeraja e shtëpisë, po shpenzimet e përditshme”, tha Jolanda për Top Channel.