Një skandal i vërtetë duket se ka përfshirë institucionin e SPAK, pasi dy prokurorë të tij akuzohen se kanë fshehur qëllimisht provat në mënyrë që Arben Ahmetaj të mos kishte probleme me drejtësinë.
Sipas një kallëzimi penal të depozituar nga gazetari Adriatik Doçi, dy prokurorët Klodian Braho dhe Ened Nakuçi kanë pasur në zotërim fakte që inkriminojnë ish-ministrin Arben Ahmetaj. Bëhet fjalë për fakte që tregojnë se Klodian Zoto, i kërkuar nga SPAK, ka bërë pagesa hotelesh luksoze për udhëtimit e Ahmetaj jashtë vendit.

Ata akuzohen se qëllimisht nuk i kanë paraqitur këto fakte dhe kanë marrë të pandehur për çështjen e inceneratorëve ish-ministrin Lefter Koka dhe disa të tjerë, por jo ish-ministrin Arben Ahmetaj.
Gazetari Doçi në kallëzimin e tij ka paraqitur tre raste të shkeljes së ligjit nga ana e dy prokurorëve të SPAK. Shkelja e parë e ligjit ka të bëjë me shpërdorimin e detyrës në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet nenet 25 dhe 248 të Kodit Penal.

Rasti i dytë i shkeljes së ligjit ka të bëjë me kryerjen e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës, parashikuar nga Kodi Penal në nenin 301.
Ndërsa rasti i tretë i shkeljes së ligjit ka të bëjë me zhdukjen ose humbjen e fashikullit të hetimit ose gjykimit dhe heqja e dokumentave dhe të dhënave që gjenden në to, kur sjellin pasoja të rënda në dëm të interesave të shtetit. Kjo shkelje parashikohet nga neni 313/3 i Kodit Penal.