Policia italiane ka çmontuar një restorant i kthyer në fermë kanabisi nga një shqiptar.
Plantacioni i kanabisit ishte ngritur brenda një ish-restoranti të braktisur për disa kohë në kodrat Acquesi, pranë Bashkisë Moirano.
Dhomat e ndërtesës ishin shndërruar në dhoma për mbjellje, rritje dhe korrje të bimës narkotike.
Në ish restorantin ishte ngritur një laborator i madh me gjithçka të nevojshme për prodhim në shkallë të gjerë.
Aty kishte 67 llamba halogjene për rritjen e bimëve, me një vlerë komerciale prej rreth 600 euro secila, tri pajisje industriale të kondicionimit dhe një sistem vaditjeje profesional.
Brenda u gjetën 1200 bimë të përmasave të ndryshme, në proces rritjeje dhe gati për t’u transferuar në dhomat ku bëhej procesi i mëtejshëm.
Aktiviteti i shitjes me pakicë të lëndës narkotike u ka sjellë kriminelëve përfitime rreth 45 mijë euro në muaj.
Brenda kishte edhe 45 qese plastike të mbushura me vakum me marijuanë të tharë dhe të konservuar, me një peshë totale rreth 23 kilogramë.
Fabrika e drogës drejtohej nga një shqiptar, i cili banonte aty dhe aktualisht nuk është arrestuar.