Kanë kaluar plot 14 vite që nga vrasja e Aleksandros Grigoropoulos nga një polic, por kjo nuk e ka zbehur aspak forcën reaguese të të rinjve grekë kundër dhunës policore. Mijëra protestues në disa qytete të policisë kanë kujtuar vrasjen e 15-vjeçarit dhe kanë shkaktuar trazira të shumta.
Në Athinë dhe Selanik raportohet për të paktën 14 policë të plagosur pas sulmeve të të rinjve kundër policisë. Në Athinë policia raporton se ishin mbi 8 mijë protestues dhe rreth 1 mijë prej tyre i janë përgjigjur policisë me hedhje gurësh dhe bomba molotov.
Ndërkohë, forcat e rendit janë përpjekur t’i shpërndajnë me gaz lotsjellës. Grupet e të rinjve kanë vënë zjarre te koshat e plehrave dhe kanë dëmtuar stacionin e metrosë në sheshin Omonia. Ashtu si në kryeqytet, edhe në Selanik ka pasur një numër të madh protestuesish, rreth 6 mijë.
Në këtë qytet, persona të maskuar kanë ngritur barrikada dhe kanë sulmuar forcat e policisë, teksa rrugët e Selanikut janë shndërruar në shesh-beteja. Këto incidente nuk janë mundur të shmangen, pavarësisht se ishin angazhuar më shumë se 4 mijë forca policie.
Kjo nuk ishte protesta e parë e këtij viti kundër dhunës policore, sepse pak kohë më parë protestuesit mbushën rrugët pasi një patrullë policie qëlloi në kokë një të ri të komunitetit rom, pasi i ishte vënë në ndjekje për arsyen se nuk i kishte dhënë 20 euro një karburanti në Selanik.
Oficeri, i cili shkrepi armën është arrestur nga policia për vrasje të mbetur në tentativë, teksa 16-vjeçari rom është ende në spital në gjendje kritike për jetën. Vitin e shkuar policia greke qëlloi për vdekje një 21-vjeçar po nga komuniteti rom në vendin fqinj.
Ndërkohë shqiptarët e kanë dëshmuar tashmë që fiken shumë shpejt në ngjarje të tilla. Klodian Rasha, pamjet e vrasjes së të cilit janë publikuar edhe në internet, po harrohet shumë shpejt nga mendjet tona dhe me siguri do ta kujtojmë dhunën policore vetëm kur të ndodhë një tjetër rast i ngjashëm.