Halli më madh i militantëve sot ishte se kush do të kishte më shumë vëmendje, Rama në Samitin e BE-së apo Berisha me protestat që premtojnë rrëzimin e qeverisë. Ndërsa halli i shqiptarëve të zakonshëm, i atyre që i ranë si Magelani sot për rrugicat e baltës së Tiranës për të shkuar në punë, ishte të mbërrinin në orar, e të siguronin ditën e punës për familjen. Me ta nuk u mor askush, as që u interesonin ata.
Befas ra një grusht dhe mori gjithë vëmendjen. Për një momet e gjithë skaleta e programuar e dy partive politike u rrëzua dhe të gjithë u kapën pas këtij grushtit. Nga të dyja kampet nisën të prodhonin lajme, njëra anë si viktimë e tjera si ngushëlluese e dhunës. Po me drurin që po hanë shqiptarët për 32 vite, kush u mor? Askush!
Në 1997-tën, shqiptarët hynë në luftë me njëri-tjetrin, u rahën, u vranë e u rrënuan ekonomikisht. Askush nuk u kujtua për luftën civile, për drurin e parë që shiptarët hëngrën pas 45 vitesh në komunizëm. Ishte një dru i rëndë që erdhi nga politika. Edhe sot nuk ka një fajtor të dënuar.
Më 21 janar 2011, shqiptarët u rrahën në mes të Bulevardit, u vranë 4 shqiptarë të pafajshëm. Edhe sot askush nuk është kujtuar të dënojë fajtorët. Të dyja partitë politike e përdorin sipas axhendës dhe skaletës së tyre të përvitshme këtë ngjarje.
Në maj të vitit 2018, Enea Ftoi vdiq në Komisariatin e Korçës. Familjarët akuzuan se u rrah për vdekje nga policia për një cigare hashash. Askush nuk u dënua si fajtor dhe çështja u mbyll nga Prokuroria me arsyetimin se nuk ka pasur dhunë ndaj tij
Më 9 dhjetor 2020, shqiptarët u rrahën nga policia e veshur me hekur nga koka të këmbët, sepse protestuan për Klodian Rashën. Një të riu i morën jetën dhe qindra të tjerëve u dhanë shkopa gome, gaz-lotsjellës dhe prangat. Askush nuk dënua si fajtor i dhunës së protestueve të lirë që kërkuan siguri për jetën.
Më 19 tetor 2022, Lear Kurti vdiq në fugonin e policisë. Familjarët nxorrën disa foto se ai ishte rrahur për vdekje, ndërsa Prokuroria doli në vendimin se ai vdiq nga mbidoza. Askush nuk u mor si fajtor i humbjes së jetës së një të riu.
Dhjetra shqiptarë rrihen po ashtu çdo ditë. Disave u ushtrohet dhunë verbale dhe në disa raste dyshohet se edhe dhunë fizike nga Policia Bashkiake, sepse shesin spinaq e qepë, dhe disa se mbledhin bidona.
Dhjetra shqiptarë janë dhunuar përtej kufirit, sepse partitë politike i detyruan të largohen nga vendi nëpërmjet malit, detit e poshtë kamionit.
Askush për ta nuk është dënuar si fajtorë, faji i mbetet gjithmonë të dhunuarit.
Prej 32 vitesh shqiptarët po mbajnë në kurriz kërbaçin e politikës, po shtypen, po poshtërohen dhe po varfërohen. Sërish askush nuk është fajtor dhe askush nuk është dënuar.
Por grushtit të sotëm ia gjetën fajtorin, i bën skedën, i nxorrën dosjet dhe rrënjët familjare. Për drurin që po u jep shqiptarëve çdo ditë, përse nuk reagon politika? Përse nuk reagon politika për dhunën e banorëve të Astirit, 5 Majit, Laprakës dhe gjithë Shqipërisë që protestojnë për të mbrojtur pronën e tyre?!
Ky dru nuk i intereson politikës, madje i duhet për të mbajtur pushtetin, i duhet që ata të pasurohen e të shtojnë vilat në majë të kodrave e buzë detit, e shqiptarët të jenë të nënshtruar e të vuajnë për bukën e gojës.
Një grusht është lule, përballë drurit që shqiptarët po hanë çdo ditë!