Një qytetar ka telefonuar ditën e sotme Policinë e Tiranës dhe ka pretenduar se i rrezikohet jeta në momentin që do të dalë nga gjykata. “Kërkoj ndihmë pasi të dal nga seanca, sepse më rrezikohet jeta”, citohet të ketë thënë qytetari.
Me të marrë këtë njoftim, forcat e rendit kanë mbërritur me urgjencë në gjykatë dhe janë mobilizuar, por personi që ka telefonuar e ka fikur tashmë celularin e tij dhe policia në gjykatë dhe në ambientin përreth nuk ka vërejtur asnjë shenjë shqetësuese.
Dyshimet e para janë që telefonata të ketë qenë e rreme, por policia pritet të hetojë më shumë mbi këtë ngjarje, e cila mund të ketë pas një prapaskenë të vërtetë. Në orët në vijim pritet të identifikohet personi që ka bërë telefonatën.