Shumë vende të botës përfshirë edhe Shqipërinë po përballen me një krizë e cila ka sjellë rritje të çmimeve dhe faturave të konsumit.
Familjet shqiptare po përballen çdo ditë e më tepër me rritjen e çmimeve të karburanteve, energjisë elektrike, ushqimeve, veshjeve, mobiljeve por edhe elektroshtëpiakeve. Për të shmangur faturat e larta në fund të muajit shqiptarët po përpiqen të gjejnë zgjidhje alternative, më ekonomike dhe pse jo të eliminojnë disa prej produkteve "luksi".
Paratë e vendosura për kursime dhe shpenzimet e luksit janë shkurtuar në mënyrë drastike, një prirje e cila pritet të vazhdojë. Konsumatorët po blejnë sasi më të vogla, ose po shtyjnë blerjet. Shumica po u drejtohen zbritjeve ose markave më të përballueshme.
Sipas përfaqësuesve të ndryshëm të shitjeve, tani shqiptarët po priren të blejnë sa më shumë produkte që iu kursejnë energjinë elektrike pasi faturat rëndojnë shumë në buxhetin e tyre. Së fundmi ka një rritje të konsumit të gazit, si një alternativë e përshtatshme në vend të energjisë elektrike. Pajisjet e dushit që ngrohin ujin më shpejt se boileri dhe pa shpenzime janë më të kërkuarat bashkë me prizat ekonomike, të cilat u vendosen burimeve ekzistuese në shtëpitë e qytetarëve dhe reduktojnë deri në 50% energjinë elektrike.
Në tregje është rritur kërkesa për batanije normale pasi ato me korrent nuk janë më të preferuara për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Shqiptarët kanë vazhduar të ndryshojnë edhe elektroshtëpiaket duke përzgjedhur më tepër ato që kursejnë energji. Edhe termoizolimi i shtëpive është një trend në rritje pasi kjo shmang sistemet e ngrohjes apo pajisje të tjera.
Ndërkohë në lidhje me ushqimet, vlen të thuhet se shqiptarët po blejnë më pak ose blejnë ato produkte që janë në oferta në supermarkete. Për shumë familje produktet e bulmetit si qumështi, kosi, djathi dhe gjalpi janë kthyer në produkte luksi dhe shqiptarët po i blejnë vetëm me raste.