A mund të jetojë një njeri me 11 apo me 15 mijë lekë të reja në muaj? Po një person i ulur në karrocë me rrota, i paaftë për punë, a mundet? Me këto pagesa jetojnë sot me mijëra persona në Shqipëri. Paraplegjikët tetraplegjikët apo edhe personat me sklerozë të shumëfishtë, janë në një situatë mjaft të vështirë ekonomike.
Për mikrofonin e JOQ Albania, ata shprehin sfidat e vështira që hasin çdo ditë, ndikuar nga mospërkrahja e qeverisë apo edhe institucioneve përkatëse që kanë në mbikqyrje dhe nën kujdes këta persona.
"Na thanë 110 mijë lekë të vjetra këtë muaj. 60 mijë lekë na i kishin detyrime të papaguara përgjatë gjithë vitit dhe 50 mijë lekë për gjelin e detit. E para, a i mbahet invalidit çdo muaj 5 mijë lekshin? E dyta, gjeli nuk bën 50 mijë lekë dhe këto nuk quhen fare shpërblime" – tha një prej personave me aftësi të kufizuar për JOQ.
Me ligj, në një kompani apo në një institucion shtetëror duhet të punësohet 1 në 50 veta një person me aftësi të kufizuara. Sipas tyre ky ligj nuk zbatohet, çfarë ka bërë që personat me aftësi të kufizuara të mos gjejnë dot punë.
"Karrocën e kam blerë me kursimet e mia dhe familjes sime, 900 mijë lekë të vjetra. E re bën 4 mijë euro. Pse në Shqipëri duhet t'i blejmë vetë karrocat kur jashtë këto t'i siguron shteti?"- tha ai më tej.
E sikur të mos mjaftonte kjo, ndaj personave me aftësi të kufizuara është reduktuar pagesa mujore. Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë u kanë reduktuar pagesën për pampersat.
"Kulmi, na kanë hequr paketën sanitare. Ka patronazhistet edhe mes nesh që shkojnë e thonë që invalidët urinojnë kaq herë në ditë e kryejnë nevojat kaq herë. Po a i hiqet paketa sanitare një invalidi në karrocë?"- tha një tjetër person me aftësi të kufizuara për JOQ.
Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, ata kërkojnë të zbatohet vetëm ligji e të trajtohen me dinjitet.