Britania vijon të hasë probleme të mëdha në strehimin e emigrantëve të shumtë që kalojnë Kanalin me gomone dhe më pas kërkojnë azil në Britani. Mijëra emigrantë ndodhen në kampet e qëndrimit në Manston dhe Dover.
Media e njohur, GB News ka arritur të hyjë në këto kampe dhe të fotografojë kushtet në të cilat emigrantët qëndrojnë, përpara se të kalojnë në strehimin e përkohshëm. Pamjet janë të frikshme.
Qindra njerëz flenë ngjitur njëri-tjetrit, çka përbën rrezik të madh për infektim të mundshëm me sëmundjet që emigrantët mund të kenë, pasi duhet theksuar se ata vijnë nga vende të ndryshme të botës.
Gjashtë raste të infektimit me difteri janë zbuluar së fundmi. Autoritetet shëndetësore raportojnë se emigrantët kanë ardhur të infektuar dhe nuk janë sëmurë në kamp.
Pretendohet se emigrantët mbahen vetëm 24 orë në kamp dhe pasi bëjnë kërkesën për azil, ata kalojnë në strehim të përkohshëm. Gjithsesi, ata qëndrojnë edhe më shumë se aq. Atyre u merren rrobat që kanë veshur dhe më pas ato vendosen në një thes para se të hidhen si mbetje të rrezikshme.




