Në festat e nëntorit, Bashkia Bulqizë, me në krye Lefter Allën festoi shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, duke zhvilluar ceremoninë e inaugurimit të përmendores “Nëntë Malet e Dibrës”. Kjo e fundit u vendos në njësinë administrative Gjoricë ku gjatë inaugurimit veç Allës mori pjesë edhe kryetarja e Këshillit të Qarkut Dibër, Valentina Haliti dhe drejtues të tjerë nga pushteti vendor.
Përmendorja e cila ka kushtuar 780, 000 lekë (pa tvsh) ose afro 6700 euro ka hapur debate në Dibër pasi në pllakatën e vendosur në këtë përmendore nga kryetari Alla, mungon një mal i Dibrës, konkretisht ai i Muhurrit, duke gdhendur në pllakatë vetëm 8 male. Në përmendore janë shkruar për 8 male, atë të Reçit, Dardhës, Çidhnës, Luznisë, Katër Grykët (Murra), Bulqizës, Grykës së Vogël dhe Grykës së Madhe, por është zhdukur mali i Muhurrit. Veç kësaj, sipas shumë historianëve dibranë, janë gdhendur gabim edhe disa vlera historike të 9 maleve të Dibrës si dhe janë harruar shumë vlera të tjera.
Sipas historianit, Haki Pernezha më poshtë janë gabimet e gdhendur në pllakatë që bien ndesh me historinë e Dibrës.
1. Malet e Dibrës lindën “Në gjysmën e shekullit të 18…” Kjo bie ndesh me atë çfar kanë shkruar shumë studiues.
-Kristo Frashëri: “Gjat pjesës së parë të shek XV…e ndihmoi Gjon Kastriotin ti shkrinte Malet e Dibrës e Matit dhe Kurbinit në një…” dhe po aty: “Mali dibran na kujton bashkësinë krahinore me të njëjtin emër që egzistonte para sundimit turk…” (K Frashëri në Konf. komb.e stud. etnog. fq 239)
-Selami Pulaha: “Në shekullin XV-XVII… nevoja e malsive të lira për tu mbrojtur nga depërtimi osman dhe për tu vetqeverisur …mori formën e bashkimit në Krahina të vecanta të një vargu fshatrash…” Konf komb e stud etn, fq 156
-N. Bardhoshi: “Zonat, (në rastin tonë Malet HP) kishin funksionuar si njësi principatash, ose si njësi autonome në kuadër të Perandorisë Osmane.” Tek “Antropologjia e kanunit” fq 123. Pra Malet e Dibrës nuk lindën në gjysmën e shek 18.
2. Më poshtë në pllakatë, për Malet shkruhet : “Ato ishin forma organizimi shtetrore…”(!) Kjo thënie bie ndesh me qëllimin dhe funksionin e Maleve (apo Krahinave) të Dibrës. Pra, Malet e Dibrës nuk ishin forma shtetrore por ishin një realitet që Perandoria Osmane u detyrua t’i njohë me kohë.
3. (Malet apo Krahinat HP) “…kishin krahun e tyre të armatosur.” Ky pohim lidhet me atë që në gojën e popullit dhe të studiuesve të periudhës ndryshe quhet “Djelmënia dibrane” dhe se cili ka qënë roli dhe veprimtaria e saj është shkruar shumë. Pra, mendoj që ky pohim nuk e ka vendin në këtë pllakatë.
4. Aty ku flitet për “…kuvendin e malit…”, besoj që është një fjali e ndërtuar jo në funksion të gjithë idesë për të cilën është ndërtuar objekti. Mendoj se nëse duhej shënuar diçka për Kuvendet e Maleve, mund të thuhej se ato apo aty, caktoheshin komandantët dhe udhëheqësit e luftës.
5. Në pjesën ku renditen Malet mungon Muhurri. Kjo s’duhej të ndodhte. Përveç gabimit me Muhurrin, mendoj se edhe renditja e bërë është ndryshe nga çfar jemi mësuar të dëgjojmë nga populli a të lexojmë. Zakonisht kur numërohen Malet respektohet vendndodhja e tyre dhe përmenden me radhë nga Reçi deri në Bulqizë ose anasjelltas. Një përmendje e tillë, pa ”rend” gjeografik, mendoj, krijon debate të panevojshme.
6. Formula e betimit të plakut, e shënuar në pllakatë, mendoj se nuk duhej shënuar fare aty. Vertët që “plaku” si institucion i Vetqeverisjes së Maleve kishte rol, por ai nuk ishte i vetmi. Për këtë arsye ai shënim duhej të shmangej.